“WORK & STUDY”, aktiviteti unikal në Shqipëri, i cili u çel këtë vit më 27 shkurt dhe u organizua në formën e një panairi lëvizës, duke udhëtuar në 21 qytete të vendit, do të përmbyllë rrugëtimin e saj në Tiranë, në datat 25 dhe 26 prill.
Aty ku dijet dhe ofertat cilësore për studim dhe punësim takohen me sipërmarrjen, ky panair iu jep mundësinë të rinjve që të orientohen dhe të zgjedhin për të ardhmen e tyre.
Mbi 45 kompani të mëdha biznesi, që tashmë janë të suksesshme në treg, si dhe rreth 30 institucione arsimore private e publike, do të jenë të pranishme për t’ju prezantuar ofertën më të mirë të punësimit dhe studimit.
“Work & Study” ka shkelur në çdo skaj të vendit, duke iu ardhur në NDIHMË veçanërisht të rinjve që nisin studimet e larta, për të përzgjedhur mundësitë e tyre të studimit dhe për të zhvilluar kapacitetin formues, në mënyrë që të jenë më të sigurt për tregun e punës.
Punëkërkuesi apo çdo individ i lire është një tjetër fokus, e që ky panair shërben si një pikëtakimi efektiv me përfaqësuesit e burimeve njerëzore të kompanive pjesëmarrëse.
Nëse keni dyshime për rrugën që dëshironi të ndiqni profesionalisht, hap i cili do të shënjojë të ardhmen tuaj, ejani dhe shqyrtoni ofertat dhe mundësitë reale. Gjatë këtyre ditëve, ju do të njiheni me 3 mijë oferta punësimi dhe një pafundësi zgjedhjesh nga institutet e arsimit të lartë.
Datat e zhvillimit të panairit “Work & Study”:
25 prill | Ora: 09:00 – 20:00
26 prill | Ora: 09:00 – 16:00
Vendndodhja: Pallati i Kongreseve, Tiranë
“Work & Study”, një markë tregtare që organizohet prej 14 vitesh nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, e që tashmë është kthyer në traditë, ka si partnerë: Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Bashkinë Tiranë, Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive dhe partneritetin e ngushtë me Ambasadën e Greqisë.