Historiku

Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave, është shkolla e parë e lartë në Shqipëri për përgatitjen e specialistëve për të gjitha degët e shkencave të industrisë minerare. Drejtimet e përgatitjeve të specialistëve në këto shkenca kanë pasur si qëllim zhvillimin e gjeologjisë në të gjithë drejtimet e saj; specialistëve të minierave për hapjen, përgatitjen dhe shfrytëzimin e vendburimeve të mineraleve të dobishëm dhe drejtimin e shpimit dhe prodhimit të vendburimeve të naftës dhe të gazit.

Përgatitja për herë të parë e këtyre drejtimeve të reja shkencore në vendin tonë, kërkonte edhe zhvillimin brenda shkollës të disa specialiteteve të ngushta e të veçanta, të cilat u rritën dhe u zhvilluan më shpejtësi krahas zhvillimit dhe rritjes së Fakultetit. Fakulteti filloi të përgatitë kuadro që i përgjigjeshin kërkesave të zhvillimit të industrisë minerare. Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave u formua dhe u zhvillua në kuadrin e Institutit të Lartë Politeknik të Tiranës dhe Fakultetit të Inxhinierisë të Universitetit të Tiranës. Mbi këtë bazë, synimi i përgatitjes së studentëve ka qenë dhënia e titullit “Inxhinier” për të gjitha specialitetet që përgatiteshin. Arritja e këtij synimi lidhet me formimin e thellë inxhinierik të planeve e të programeve mësimore. Ky synim është edhe sot në qendër të punës së Fakultetit të Gjeologjisë dhe të Minierave.