Fjala e Dekanit

Është kënaqësi e veçantë dhe privilegj për mua t’Ju uroj mirëseardhjen në faqen zyrtare të Fakultetit të Gjeologjisë dhe të Minierave.

Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave është e para dhe e vetmja shkollë e lartë për përgatitjen e specialistëve në fushat e Gjeoshkencave, të Inxhinierisë së Minierave dhe Inxhinierisë së Naftës dhe Gazit.

Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave u krijua me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 97, datë 23 mars 1962, si pjesë përbërëse e Universitetit Shtetëror të Tiranës, me këto degë: degën e Gjeologjisë, degën e Minierave dhe degën e Shpimeve dhe të shfrytëzimit.

Prej vitit 1952 dega gjeologjike minerale ishte pjesë e Institutit të Lartë Politeknik (themeluar në vitin 1951, si njëri prej “trinjakëve” të arsimit të lartë shqiptar) dhe prej vitit 1957, që shënon krijimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës, vazhdoi të ishte pjesë e Fakultetit të Inxhinierisë të këtij Universiteti.

Aktualisht Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave përbëhet nga 4 Departamente:

  1. Departamenti i Shkencave të Tokës,
  2. Departamenti i Gjeologjisë së Zbatuar dhe Gjeoinformatikës,
  3. Departamenti i Inxhinierisë së Burimeve Minerare, dhe
  4. Departamenti i Burimeve të Energjisë.

Fakulteti ofron 5 Programe Studimi të Ciklit të Parë (Bachelor), në:

  1. Inxhinieri Gjeologjike,
  2. Inxhinieria e Burimeve Minerare,
  3. Inxhinieria e Naftës dhe Gazit,
  4. Inxhinieri Gjeoinformatike, dhe
  5. Inxhinieri Gjeomjedisi.

Fakulteti ofron, gjithashtu Programe Studimi të Ciklit të Dytë, respektivisht 9 (nëntë) Programe Studimi Master Profesional dhe 9 (nëntë) Programe Studimi Master i Shkencave.

Prej vitit akademik 2009-2010, në Fakultet ka funksionuar gjithashtu Shkolla e Doktoratës: “Gjeoshkencat, Burimet Natyrore dhe Mjedisi”, ndërsa prej vitit akademik 2021-2022, shkollat e doktoratës hapen në kuadër departamenti, si programe studimi të ciklit të tretë dhe menaxhohen nga Këshilli i Profesorëve të Fakultetit.

Pavarësisht faktit, tashmë gjerësisht të njohur e pranuar, që profesioni i Inxhinierit Gjeolog, atij të Minierave dhe të Naftës, nuk është ndër profesionet më të preferuara, për shkak të vështirësive në të përvetësuar dhe në të ushtruar, studentët e Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave, kanë qenë, janë e do të jenë me fat, sepse:

Krahasuar me shumë profesione të tjerë, më të lehtë në të përvetësuar dhe në të ushtruar, ata kanë mundësi të shumëfishta punësimi, në profesion: Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Bashkitë, Prefekturat dhe Qarqet, institucionet e mjedisit dhe gjeomjedisit, etj. janë disa nga entet publike që kontingjentin që përgatitet në Fakultetin tonë e kanë dhe duhet ta kenë parësor në punësim.

Nga ana tjetër, në Shqipëri aktualisht zhvillojnë aktivitetin e tyre rreth 600-800 subjekte private që merren me kërkim – zbulim dhe shfrytëzim të mineraleve të dobishme të ngurta si dhe të naftës e gazit, pasuri për të cilat vendi ynë është i “bekuar”.

Por edhe studentët e Fakultetit të Gjeologjisë dhe të Minierave janë “të bekuar” sepse ata edukohen e trajnohen nga stafi më njerëzor dhe më i kualifikuar që ndonjë fakultet tjetër, publik apo jopublik, ka pasur dhe ka. Këtu mjafton të përmendet se nga 51 punonjës akademikë që ka Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave, 42 prej tyre janë me tituj e grada shkencore, dhe konkretisht: 21 prej tyre mbajnë titullin akademik “Profesor”, 8 titullin akademik “Profesor i Asociuar”, 13 gradën shkencore “Doktor” dhe vetëm 9 janë “Asistent Lektorë”, edhe këta në proces kualifikimi.

Disa produkte kryesore të prodhuara dhe rezerva potenciale të njohura, të industrisë minerare dhe asaj të naftës, ku kontributi profesional dhe shkencor i pedagogëve të këtij Fakulteti ka qenë dhe është i qenësishëm, janë si më poshtë:

  • Mineral kromi: shfrytëzuar rreth 30 milionë ton (ka ende rreth 33 milion ton rezerva, të njohura).
  • Mineral bakri: shfrytëzuar rreth 25 milionë ton (ka ende rreth 53 milion ton rezerva të njohura, nga të cilat rreth 27 milion ton, të nxjerrshme).
  • Qymyrguri: shfrytëzuar rreth 40 milionë ton (ka ende rreth 700 milion ton rezerva, të njohura).
  • Hekur-Nikel: shfrytëzuar rreth 15 milionë ton (ka ende rreth 220 milion ton rezerva, të njohura).
  • Nikel-Silikat: shfrytëzuar rreth 2 milionë ton (ka ende rreth 102 milion ton rezerva, të njohura).
  • Kripë guri: shfrytëzuar rreth 4 milionë ton (ka ende rreth 70 milion ton rezerva, të njohura).
  • Bitum natyral i pastër: shfrytëzuar rreth 300 mijë ton (ka ende rreth 1.2 milion ton rezerva, të njohura), pa bërë fjalë për rërat bituminoze.
  • Naftë: shfrytëzuar rreth 55 milion ton (ka ende rreth 25 milion ton rezerva, të nxjerrshme).

Në sektorin e naftës, sa për kuriozitet, janë realizuar rreth 7 milion ml shpime pusesh (nga të cilat rreth 2 milion ml puse kërkimi dhe rreth 5 milion ml puse shfrytëzimi).

Prof. Dr. Vasil JORGJI

Dekan